Beselidhja e Vjeter1 i Samuelit: Jonatani i ndihmon Davidit të ikë
- 1 Davidi iku prej Najotit që është në Ramë, erdhi te Jonatani dhe i tha: Ç`kam bërë? Cili është faji im dhe ç`të keqe kam bërë ndaj tët eti që kërkon të ma marrë jetën?
- 2 Jonatani iu përgjigj: Assesi! Jo, nuk do të të vrasë! Shiko: im atë nuk bën asgjë, as të madhe as të vogël, pa ma pasë treguar mua më parë. A thua vetëm këtë gjë të fshehë im atë para meje? Assesi s`do të ndodhë kjo!
- 3 Por Davidi përsëri e mori fjalën e tha: Mirë fort e di yt atë se unë e kam përkrahjen tënde e mendon: `Mos ta dijë këtë Jonatani që të mos të trazohet nga trishtimi`. Pasha Zotin e gjallë e pasha jetën tënde, vetëm një hap na ndan mua dhe vdekjen.
- 4 Jonatani i tha atëherë Davidit: Ç`dëshiron të bëj për ty?
- 5 Davidi iu përgjigj Jonatanit: Ja, nesër është hëna e re e mua më duhet të ulem përbri mbretit për të ngrënë. Më lejo të fshihem deri në mbrëmje të së tretës ditë në fushë.
- 6 Nëse më kërkon yt atë, i thuaj: `Davidi më bëri lutje që të shkonte shpejt në Betlehem, qytetin e tij, sepse atje kanë theroret vjetore njerëzit e fisit të tij që të gjithë`.
- 7 Nëse thotë: `Mirë`, atëherë shërbëtori yt mund të jetë i qetë, por nëse do të zemërohet, dije se ka vendosur të më vrasë.
- 8 Më bëj, pra, këtë nder, sepse vetë e bëre shërbëtorin tënd që të lidhë besën e Zotit me ty. Nëse kam ndonjëfarë faji, më vra ti vetë e mos më shpjer tek yt atë.
- 9 Jonatani i tha: Larg qoftë! Po ta dija me të vërtetë se im atë ka vendosur të të vrasë, unë s`do ta lija assesi pa ta treguar.
- 10 Davidi iu përgjigj Jonatanit: Kush do të më njoftojë nëse yt atë do të përgjigjet me ashpërsi?
- 11 Atëherë Jonatani i tha Davidit: Eja e të dalim bashkë në fushë. Kur dolën të dy në fushë,
- 12 Jonatani i tha Davidit: Pasha Zotin, Hyjin e Izraelit, do të bëj hetime që ta di mendimin e tim eti në këtë kohë, nesër ose pasnesër. Nëse do të jetë mirë për Davidin dhe nëse unë nuk do të dërgoj dikë për të të njoftuar,
- 13 kështu ia bëftë Zoti Jonatanit e madje edhe më zi! Po edhe nëse do të zotërojë mendja e keqe e tim eti kundër teje, po edhe për këtë do të të njoftoj dhe do të të lë të shkosh në paqe. Dhe Zoti qoftë me ty siç pati qenë me babain tim.
- 14 Në qoftë se unë do të jem gjallë, ti do të sillesh me mua siç e kërkon besnikëria e Zotit, e në qoftë se do të jem i vdekur,
- 15 ti s`do t`ia mohosh mëshirën tënde familjes sime për amshim, as atëherë kur Zoti t`i çrrënjosë prej dheut një nga një të gjithë armiqtë e Davidit.
- 16 Sepse Jonatani lidhi besën me shtëpinë e Davidit kur tha: `Zoti ia kërkoftë Davidit prej duarve të armiqve të tij!
- 17 Jonatani shtoi për ta bërë Davidin të përbetohet për dashurinë e tij që kishte për të: në të vërtetë e donte porsi jetën e vet.
- 18 Atëherë Jonatani i tha: Nesër është hëna e re, e do të kërkohesh,
- 19 sepse vendi yt në tryezë do të jetë i zbrazët. Pasnesër zbrit ti e eja në atë vend, ku u fshehe ditën e asaj ngjarjeje. Ti qëndro përbri atij grumbulli.
- 20 Unë do t`i qes tri shigjeta në drejtim të tij dhe do t`i qes sikurse të ushtroja për të gjuajtur në shenjë.
- 21 Do ta dërgoj edhe djaloshin e do t`i them: `Shko e m`i sill shigjetat!`
- 22 Nëse do t`i them djaloshit: `Ja, shigjetat janë këtej teje, m`i sill`, ti eja tek unë, sepse puna është mirë e s`ka, për Zotin, farë të keqeje për ty. Por, në qoftë se do t`i them kështu djaloshit: `Shiko! Shigjetat janë përtej teje!`, atëherë shko, sepse Zoti të largon prej këtej.
- 23 Për fjalën që kemi folur bashkë, unë e ti, Zoti qoftë dëshmitar ndërmjet meje e teje për amshim.
- 24 Kështu, pra, u fsheh Davidi në fushë. Erdhi hëna e re dhe mbreti u ul në tryezë për të ngrënë.
- 25 Mbreti u ul në vendin e vet të rëndomtë;përbri murit -, përballë tij u ul Jonatani, në njërën anë të Saulit ndenji Abneri, kurse vendi i Davidit mbeti i zbrazët.
- 26 Sauli atë ditë s`foli kurrgjë; sepse mendonte se ndoshta do t`i ketë ndodhur diçka e nuk është i pastër dhe s`ka mundur të pastrohet.
- 27 Por, kur erdhi e dyta ditë pas hënës së re, prapë qe i zbrazët vendi i Davidit. Atëherë Sauli i tha Jonatanit, të birit: Pse nuk vjen djali i Isait as dje as sot për të ngrënë bukë?
- 28 Jonatani iu përgjigj Saulit: Më ka bërë shumë lutje që të shkonte në Betlehem,
- 29 e më tha: `Më lejo të shkoj, se kemi theroren e familjes në qytet, dhe erdhi vetë vëllai im e më thirri; Tani pra, nëse kam gjetur hir para syve të tu, më lër të shkoj për pak kohë t`i shoh vëllezërit e mi`. Kjo është arsyeja që nuk ka ardhur në tryezën e mbretit.
- 30 Sauli u hidhërua kundër Jonatanit e i tha: Zog shake! A kujton se nuk e di që je miku i birit të Isait për turpin tënd e për turpin e nënës sate!?
- 31 Për sa kohë të jetë gjallë mbi tokë biri i Isait, nuk do të jesh i sigurt as ti as mbretëria jote. Pra, që tani dërgo e bjere këtu tek unë, sepse ai duhet të vdesë!
- 32 Jonatani iu përgjigj Saulit, t`et, e i tha: Përse do të vdesë? Ç`ka bërë?
- 33 Sauli kapi heshtën për ta goditur. E mori vesh Jonatani se Sauli kishte vendosur ta vriste Davidin,
- 34 u ngrit, pra, Jonatani nga tryeza, plot hidhërim, e nuk hëngri bukë të dytën ditë të hënës së re, sepse ishte shumë i shqetësuar për punë të Davidit, pse i ati i kishte mbetur në qafë.
- 35 Kur zbardhi drita, Jonatani shkoi në fushë, në vendin e caktuar prej Davidit dhe me të ishte një djalosh i vogël.
- 36 Jonatani i tha shërbëtorit të vet: Shko e m`i mblidh shigjetat që po i hedh. Djaloshi u lëshua vrap e Jonatani e qiti shigjetën përtej tij.
- 37 Djaloshi mbërriti në vendin ku e kishte hedhur Jonatani, Jonatani bërtiti pas djaloshit e tha: Ja, ku është shigjeta! Shiko përtej teje!
- 38 Jonatani i thirri djaloshit e tha: Jepu këmbëve më shpejt, e mos ndalo! Djaloshi e mori shigjetën e Jonatanit dhe ia solli zotërisë së vet
- 39 e s`mori gjë vesh për sa u veprua: vetëm Jonatani e Davidi e dinin se ç`do të thoshte ajo gjë.
- 40 Atëherë Jonatani ia dha djaloshit armët e veta e i tha: Shko e m`i ço në qytet!
- 41 Kur u nis djaloshi, u çua Davidi prej pas grumbullit, ra me fytyrë përdhe e u përkul tri herë. U përqafuan dhe qanë të dy, Davidi më shumë.
- 42 Atëherë Jonatani i tha Davidit: Shko në paqe! E për sa u lidhëm të dy me besën e Zotit: Zoti qoftë dëshmitar ndërmjet meje e teje, ndërmjet farës sime e farës sate përgjithmonë.