Beselidhja e Vjeter1 i Samuelit: Qëndrimi në Nob
- 1 Atëherë Davidi u çua e shkoi. U ngrit edhe Jonatani e hyri në qytet.Qëndrimi në Nob
- 2 Davidi shkoi te prifti Akimelek në Nob. Akimeleku, i shqetësuar, i doli para Davidit dhe i tha: Pse erdhe ti vetëm dhe s`është askush me ty?
- 3 Davidi iu përgjigj Akimelekut prift: Mbreti më ka dhënë një punë për ta kryer e më ka thënë: `Askush të mos e dijë për çfarë të kam dërguar dhe ç`urdhra të kam dhënë`. Djelmoshave u kam thënë të më presin në një vend të caktuar.
- 4 Tashti, nëse të kanë qëlluar pesë bukë, m`i jep; ose ç`të ka qëlluar tjetër.
- 5 Prifti iu përgjigj Davidit: S` më ka qëlluar bukë e rëndomtë, por vetëm bukë e kushtuar. A do të jenë të pastër djelmoshat, veçanërisht prej grave?
- 6 Davidi iu përgjigj priftit e i tha: Pa farë dyshimi! Për sa u përket grave, jemi përmbajtur dje e pardje. Kur u nisa për udhë vetja e djelmoshave ishte në gjendje të pastër. Edhe pse ky është një udhëtim i rëndomtë, aq më tepër sot djelmoshat janë në gjendje të pastër për nga trupi.
- 7 Atëherë prifti i dha bukët e kushtuara. Vërtet, nuk i ndodhi tjetër bukë aty, përveç bukëve të paraqitjes që i kishte hequr prej pranisë së Zotit për të vënë bukë të nxehta.
- 8 Qëlloi aty atë ditë një prej shërbëtorëve të Saulit. Ishte ndalur para Zotit. Quhej Doeg Idumeu. Ishte kryetari i barinjve të Saulit.
- 9 Davidi i tha Akimelekut: A mos të gjendet këtu për doresh ndonjë heshtë ose shpatë? Sepse, puna e mbretit duhej kryer me ngut e nuk mora me vete shpatën time as armët e mia.
- 10 Prifti iu përgjigj: Këtu kam shpatën e Goliatit, të atij filisteu që e preve ti në luginën e Terebintit. Është e mbështjellë në një pëlhurë pas shpinorit. Nëse do ta marrësh atë, merre, tjetër përveç saj këtu nuk ka. Davidi i tha: S`ka tjetër si ajo, ma jep!Davidi te filistenjtë
- 11 U ngrit, pra, Davidi e iku atë ditë larg prej Saulit. Shkoi tek Akisi, mbreti i Getit.
- 12 Oborrtarët e tij i thanë Akisit: A nuk është ky Davidi, mbreti i tokës? A nuk i këndonin këtij në valle e i thoshin:`Sauli vrau me mijëra, kurse Davidi me dhjetëra mijëra`?
- 13 Davidi i nguli mirë në mend këto fjalë dhe ia kishte fort frikën Akisit, mbretit të Getit.
- 14 Atëherë Davidi u shtir si i marrë para tyre. Sillej si i dalë mendsh ndër sy të tyre: i binte derës sikur po i bie tupanit, linte t`i rridhte jarga nëpër mjekërr.
- 15 Atëherë Akisi u tha oborrtarëve të vet: A po shihni se është njeri i marrë. Pse e prutë këtu tek unë?
- 16 A s`kemi mjaft të marrë që ma sollët këtu këtë që të më mërzisë me marrinë e vet? Një si ky duhet të hyjë në shtëpinë time?