Beselidhja e Vjeter1 i Samuelit: Davidi i kursen jetën Saulit
- 1 Prej andej Davidi u ngjit e shkoi të banojë në vende të sigurta të Engadit.
- 2 Kur u kthye Sauli prej ndjekjes së filistenjve, e lajmëruan: Davidi tani gjendet në shkretëtirën e Engadit.
- 3 Sauli mori tre mijë burra të zgjedhur në mbarë Izraelin dhe u nis për të gjurmuar Davidin e njerëzit e tij në qetat e dhive të egra.
- 4 Arriti te vathat e deleve, që janë afër udhës. Aty ishte një shpellë në të cilën hyri Sauli për të dalë për vete. Davidi me njerëzit e vet fshihej në pjesën e brendshme të shpellës.
- 5 Njerëzit e Davidit i thanë atëherë: Erdhi dita, për të cilën të ka thënë Zoti: `Unë do të ta lëshoj në dorë armikun tënd që të bësh me të si të pëlqejë ty`. Kështu, pra, Davidi u ngrit dhe, pa zë, i preu Saulit kindin e leshnikut.
- 6 Më vonë e breu ndërgjegjja Davidin pse i kishte prerë kindin e leshnikut Saulit
- 7 e u tha njerëzve të vet: Më ruajtë dora e Zotit që të mos i bëj kurrë më një punë të tillë imzotit, të shuguruarit të Zotit: të vë më dorë në të, sepse është i shuguruar i Zotit.
- 8 Davidi me fjalë të ashpra i qortoi njerëzit e vet dhe nuk i la të suleshin kundër Saulit.Atëherë Sauli doli prej shpellës dhe vazhdoi rrugën që kishte marrë.
- 9 U ngrit edhe Davidi pas tij, doli prej shpellës dhe i thirri Saulit. I tha: Imzot, o mbret! Sauli u kthye e shikoi prapa. Davidi, duke u përkulur kah toka, e nderoi
- 10 dhe i tha Saulit: Përse i dëgjon ngacmimet e njerëzve që thonë: `Davidi kërkon të ta bëjë të zezën`?
- 11 Ja, sot e pe me sytë e tu se Zoti të ka lëshuar në dorën time kur qe në shpellë. Mua më thanë që të të vrisja, por unë pata dhimbje për ty e thashë: Nuk do ta ngre dorën time mbi zotërinë tim, sepse është i shuguruar i Zotit
- 12 dhe im atë. Shiko, pra, e njihe kindin e leshnikut tënd në dorën time. Ta preva kindin e leshnikut tënd e nuk desha të të vrisja ty. Pra, kujtohu dhe pranoje se nuk kam mendje të keqe, paudhësi as farë faji kundër teje, kurse ti po më ndjek për të ma marrë jetën.
- 13 Zoti gjykoftë ndërmjet meje e teje, Zoti u hakmarrtë për mua mbi ty! Sa për mua, unë nuk do të ngre dorë mbi ty.
- 14 Ashtu siç thotë edhe fjala e urtë e vjetër: Prej të padrejtëve rrjedh padrejtësia, dora ime nuk do të ngrihet kundër teje.
- 15 Kë po ndjek mbreti i Izraelit? Kë po salvon? Një qen të ngordhur, një plesht!
- 16 Zoti qoftë gjykatës ndërmjet meje e teje, ai paftë dhe mbroftë çështjen time; ai më shpëtoftë prej dorës sate!
- 17 Kur i kreu Davidi këto fjalë drejtuar Saulit, Sauli tha: A mos është ky zëri yt, o David, biri im? Dhe Sauli ia filloi të qajë me zë të lartë.
- 18 I tha Davidit: Je më i drejtë se unë, sepse ti më ke bërë vetëm mirë e unë ta kam kthyer me të këqija.
- 19 Ti sot dëftove mirësinë tënde ndaj meje, pasi Zoti më lëshoi në dorën tënde e ti nuk më vrave.
- 20 Cili është ai burrë që, kur ta gjejë armikun e vet, e lë të shkojë në punë të vet? Zoti të shpërbleftë me të mira për të mirën që ma bëre mua sot!
- 21 E tani, pasi e di me siguri se do të mbretërosh e se do ta kesh në dorë mbretërinë e Izraelit,
- 22 m`u përbeto në Zotin se nuk do ta shuash farën time pas meje dhe se nuk do ta zhdukësh emrin tim prej shtëpisë së tim eti.
- 23 Davidi iu përbetua Saulit.Sauli shkoi në shtëpinë e vet, kurse Davidi e njerëzit e tij u ngjitën në strehimin e tyre.