Beselidhja e Vjeter1 i Samuelit: Krerët e filistenjve e largojnë Davidin prej ushtrisë
- 1 Filistenjtë i mblodhën të gjitha trupat e veta në Afek. Po edhe izraelitët ngulën fushimin e tyre mbi burimin që ishte në Jezrahel.
- 2 Prijësit filistenj parakalonin me njësitë ushtarake të tyre nga njëqind e nga një mijë, kurse Davidi e njerëzit e tij shkonin të fundit me ushtrinë e Akisit.
- 3 Krerët e filistenjve pyetën: Çka bëjnë këta hebrenj këtu. Akisi iu përgjigj prijësve filistenj: Është Davidi, shërbëtori i mbretit Saul! Është tek unë Tani sa kohë, madje me vjet, dhe nuk gjeta në të kurrgjë të keqe prej ditës që iku dhe u strehua tek unë deri më sot.
- 4 U hidhëruan prijësit e filistenjve kundër tij dhe i thanë: Le të kthehet ky njeri dhe le të rrijë në vendin që ia ke caktuar e të mos vijë assesi me ne në luftë, sepse mund të bëhet kundërshtari ynë kur të fillojmë betejën. E si do të mund të pajtohej ndryshe ky me zotërinë e vet më lehtë se me kokat e këtyre njerëzve?
- 5 Pse, a nuk është ky ai Davidi, të cilit i këndonin në valle e i thoshin:`I vrau Sauli me mijëra, i vrau Davidi me dhjetëra mijëra`?
- 6 Atëherë Akisi e thirri Davidin e i tha: Pasha Zotin, ti je njeri i drejtë dhe ndër sytë e mi je i mirë dhe unë do të doja të ishe me mua në ushtri. Unë nuk gjeta në ty asnjë të keqe që ditën që erdhe tek unë deri në ditën e sotme. Por nuk u pëlqen prijësve.
- 7 Kthehu, pra, në paqe që të mos i fyesh prijësit e filistenjve.
- 8 Davidi iu përgjigj Akisit: Por ç`kam bërë se e ç`ke gjetur të keqe në shërbëtorin tënd prej ditës që erdha tek ti e deri në këtë ditë që të mos vij e të mos luftoj kundër armiqve të zotërisë sim mbretit?
- 9 Akisi iu përgjigj kështu Davidit: Unë e di se ti je i mirë për sytë e mi si engjëlli i Hyjit, por prijësit e filistenjve thanë: `Të mos dalë me ne në luftë`!
- 10 Prandaj çohu herët në mëngjes ti dhe shërbëtorët e zotërisë sate që kanë ardhur me ty dhe, pasi të ngriheni menatë, nisuni pasi të ketë filluar të dalë drita.
- 11 U çua, pra, Davidi herët, ai dhe njerëzit e tij, për t`u nisur herët në mëngjes e për t`u kthyer në tokën e filistenjve. Kurse filistenjtë u nisën për Jezrahel.