Beselidhja e Vjeter1 i Samuelit: Kthimi i Arkës
- 1 Kështu Arka e Zotit qëndroi në tokën e filistenjve për shtatë muaj.
- 2 Filistenjtë i thirrën priftërinjtë dhe dijetarët e u thanë: Si t`ia bëjmë me Arkën e Zotit? Na mësoni si do ta kthejmë në vendin e vet.Ata u përgjigjën:
- 3 Nëse e ktheni Arkën e Hyjit të Izraelit, mos e ktheni të zbrazët, por e keni për detyrë ta shpërbleni për mëkat e atëherë do të shëroheni e do ta kuptoni pse dora e tij nuk u hoq prej jush.
- 4 Ata thanë: E çfarë na duhet t`i japim për shpërblim të fajësisë ndaj tij? Ata u përgjigjën:
- 5 Sipas numrit të princave filistenj: pesë çibanë të artë e pesë minj të artë, sepse shuplaka qe e njejtë qoftë në ju qoftë në princat tuaj. Punoni, pra, trajtat e çibanëve tuaj e trajtat e minjve që shkretëruan vendin tuaj dhe jepni lavdi Hyjit të Izraelit, atëherë ndoshta do ta heqë dorën e vet prej jush, prej zotave tuaj e prej vendit tuaj.
- 6 Përse i ngurroni zemrat tuaja siç e ngurroi Egjipti dhe faraoni zemrën e vet? Pasi që i shuplakoi, a nuk i lanë atëherë të shkojnë e shkuan?
- 7 Pra, punoni një qerre të re, meri dy lopë pëlleja që ende nuk kanë qenë të zëna në zgjedhë dhe mbërtheni në qerre, kurse viçat e tyre ndryni në vathë.
- 8 Merreni Arkën e Zotit e vëreni në qerre. Po edhe gjërat e punuara me ar që ju ia jepni si shpërblim, vendosni në një arkëz, të cilën ta vini përgjatë Arkës, e atëherë lërini të shkojnë
- 9 e vëreni. Nëse niset drejt vendit të vet, në drejtim të Betsamesit, Ai jua bëri këtë të keqe të madhe; por në qoftë se nuk ndodh kështu, atëherë do ta dimë se nuk na preku dora e tij, por na ndodhi rastësisht.
- 10 Ata bënë ashtu. Morën dy lopë që i ndërgonin viçat, i vunë në qerre e viçat e tyre i ndrynë në vathë;
- 11 e vunë Arkën e Hyjit në qerre edhe arkëzën që mbante minjtë e artë dhe trajtat e çibanëve
- 13 Po atëherë betsamesasit po korin grurin në luginë. Ngritën sytë e panë Arkën. Kur e panë, u gëzuan shumë.
- 14 Arka mbërriti tek ara e Jozueh Betsamesasit dhe aty u ndal. Aty ishte një gur i madh. I prenë drutë e qerres, mbi to i vunë lopët për fli shkrumbimi për nder të Zotit.
- 15 Levitët e kishin ulur Arkën e Hyjit dhe arkëzën që ishte përgjatë saj, në të cilën ishin trajtat e arta dhe i vunë mbi gurin e madh. Atë ditë njerëzit e Betsamesit i kushtuan Zotit fli shkrumbimi dhe therore.
- 16 E panë këtë pesë princat e filistenjve dhe po atë ditë u kthyen në Akaron.
- 17 Dhe këta janë çibanët e artë që i dhuruan Zotit si shpërblim për faj: Azoti një, Gaza një, Askaloni një, Geti një, Akaroni një.
- 18 Minj të artë qenë aq sa ishin qytetet e filistenjve, të princave filistenj, prej qytetit të muruar deri në fshatin e parrethuar me mure. Ai gur i madh, mbi të cilin e vendosën Arkën e Zotit, është dëshmitar edhe sot e kësaj dite në arën e Jozuehut të Betsamesit.
- 19 Porse bijtë e Jekonisë, të vetmit ndër njerëzit e Betsamesit, nuk u gëzuan pse panë Arkën e Zotit, prandaj Zoti i goditi shtatë dhjetë vetë prej popullit. Për këtë arsye populli bëri gjëmë të madhe pse Zoti e vuri popullin në sprovë kaq të vështirë.Arka në Kariatiarim
- 20 Atëherë njerëzit e Betsamesit thanë: Kush do të mund të qëndrojë pranë Zotit, këtij Hyji të shenjtë? Te kush do të shkojë tani prej nesh?
- 21 Atëherë dërguan lajmëtarë te banorët e Kariatiarimit. Thanë: Filistenjtë e kthyen Arkën e Zotit. Ejani e çojeni tek ju atje lart.